Gjigandi gjerman i supermarketeve, Lidl, zyrtarisht do të hyjë në tregun shqiptar. Në datën 10 prill 2025, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi dhënien e statusit “Investitor Strategjik” për projektin “LIDL – Shqipëria Qendër Logjistike”, të zhvilluar nga shoqëria “Lidl Shqipëria” sh.p.k.
Investim prej mbi 105 milionë euro
Projekti parashikon një investim prej mbi 105 milionë euro, i cili do të zhvillohet brenda gjurmës së Projektit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit, me Zhvillues Autoritetin Portual Durrës, sipas Vendimit të KKTKU nr. 09, datë 27.07.2022.
Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” do të aplikohet për një periudhë 3-vjeçare, ndërkohë që projekti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 200,000 m², pranë zonës logjistike portuale në Porto Romano, Durrës.
Qendra logjistike dhe rrjeti i supermarketeve në Shqipëri
Në kuadër të këtij investimi, do të ndërtohet një qendër moderne logjistike, e cila do të shërbejë për magazinimin e produkteve me shumicë. Kjo qendër do të mbështesë jo vetëm furnizimin e tregut shqiptar, por edhe eksportin e produkteve vendase drejt tregjeve të huaja.
Sipas vendimit zyrtar, Lidl synon të operojë në tregun shqiptar përmes hapjes së një rrjeti të gjerë supermarketesh, duke gjeneruar rreth 2,500 vende të reja pune.
Porta e re tregtare në Porto Romano
Autoriteti Portual Durrës, si zhvillues i projektit të Portit të Ri Tregtar të Integruar në Porto Romano, në bashkëpunim me ASHK, AZHT dhe ASHSH, po vijon procedurat për shpronësimet dhe zbatimin e Masterplanit të zonës. Pas përfundimit të procedurave administrative, autoriteti do të disponojë të gjithë sipërfaqen e nevojshme për realizimin e projektit./ekofin.al