Shqipëria, lider rajonal për treguesit e gjelbër sipas OECD
Sipas raportit të fundit të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) për vitin 2025, Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për performancën në treguesit e gjelbër (“Greening”) për periudhën 2020–2023. Ajo është i vetmi vend i rajonit që ka përparuar ndjeshëm drejt konvergjencës me Bashkimin Evropian, duke tejkaluar në disa raste edhe mesataren e BE-së.
Performancë e lartë në energji të pastër dhe ulje të emetimeve
Shqipëria shënon 103 pikë, shumë mbi mesataren rajonale prej 47 pikësh. Për krahasim, Mali i Zi renditet i dyti me 60 pikë, ndërsa Kosova zë vendin e fundit me vetëm 6 pikë në Klasterin e Gjelbër.
Shteti shqiptar ka nivelin më të ulët të intensitetit të emetimeve të karbonit në rajon, duke qenë i vetmi vend nën mesataren e BE-së për këtë tregues. Ky sukses i atribuohet faktit që mbi 90% e energjisë së prodhuar në vend vjen nga burime të rinovueshme, kryesisht hidrocentrale.
Objektivat klimatike dhe politikat kombëtare
Në një kohë kur ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme për rajonin, politikat e Shqipërisë për zbutjen e ndikimeve klimatike kanë fituar vrull. Së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, Shqipëria është ndër të vetmet vende që kanë miratuar Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP) deri në fillim të vitit 2025 – një hap kyç drejt objektivave të vitit 2030.
Produktivitet i lartë energjetik dhe përdorim minimal i qymyrit
Një tjetër tregues ku Shqipëria shkëlqen është produktiviteti energjetik, me 168.5 pikë krahasuar me mesataren e BE-së prej 78.5 pikësh. Struktura ekonomike e orientuar drejt shërbimeve, që kërkon më pak energji, është një nga faktorët kryesorë të kësaj arritjeje.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria është ndër të vetmet vende në rajon që nuk përdor qymyr për prodhimin e energjisë elektrike, ndryshe nga Serbia, Kosova dhe Bosnja, të cilat varen mbi 60% nga ky burim ndotës.
Sfidat në energji të reja, menaxhimin e mbetjeve dhe ujin
Megjithatë, sfidat mbeten. Për vitin 2023, 91.2% e energjisë së Shqipërisë vjen nga hidrocentrale, ndërsa vetëm 8.8% nga dielli, dhe asnjë nga era apo bioenergji – duke lënë potencialin e pasur të vendit ende të pashfrytëzuar.
Menaxhimi i mbetjeve urbane është gjithashtu një pikë e dobët: rreth 63% e mbetjeve përfundojnë në landfille, një përqindje më e lartë se mesatarja e BE-së. Edhe pse janë hartuar reforma si skema për përgjegjësinë e prodhuesve, zbatimi praktik mbetet i kufizuar.
Për sa i përket produktivitetit të ujit, Shqipëria arrin vetëm 33% të nivelit të BE-së, si pjesë e një problemi më të gjerë rajonal që lidhet me përdorimin joeficient të burimeve ujore dhe ndotjen./ekofin.al