Përshkrimi

Vite Eksperiencë: Me një përvojë prej 28 vitesh në arsim, kolegji “Turgut Ozal” u hap në vitin 1995 në Tiranë. Prej shkurtit 2020, shkolla jonë është edhe Cambridge International School, e akredituar për të zhvilluar provimet Checkpoint në lëndën e gjuhës angleze për klasën e pestë dhe të nëntë. Këto testime kanë të njëjtën shkallë vështirësie si provimet që zhvillohen në vendet më të zhvilluara të botës, duke bërë të mundur krahasimin e njohurive të çdo fëmije në nivel ndërkombëtar. Nxënësit pajisen me certifikata nga Cambridge Assessment International.

Shkolla jopublike 9-vjeçare “Turgut Ozal” përbëhet nga 5 godina me infrastrukturë bashkëkohore, të pajisura me laboratorë dhe teknologji moderne. Në këto mjedise kryhet veprimtari mësimore dhe edukative për 1427 nxënës. Kufiri maksimal për çdo klasë është deri në 24 nxënës. Blloku i ndërtesave të shkollës është i vendosur gjeografikisht në një territor në jugperëndim të Tiranës, pranë lartësisë së kodrave të Selitës, në pozicion të favorshëm ekologjik dhe panoramik. Klasat e 8-ta dhe të 9-ta janë të vendosura në njërën nga ndërtesat në Rr. Pavarësia, Autostrada Tiranë-Durrës Km1, Kashar.

Nxënësit e arsimuar në shkollën tonë kanë fituar të drejtën e studimit në universitetet më të mira në të gjithë botën dhe kanë shkëlqyer në rrugën e tyre të zgjedhur. Të diplomuarit tanë janë shumë të suksesshëm në jetën e tyre, si personale ashtu edhe profesionale, një dëshmi kjo e cilësisë së lartë të arsimit që ata kanë marrë në “Turgut Ozal”.

Me mbi 1500 nxënës, shkolla jonë ofron një sërë aktivitetesh. Përmes klubeve të shumëllojshme dhe aktiviteteve jashtëshkollore, nxënësit tanë kanë mundësinë të ndjekin pasionet e tyre, të nxitin krijimtarinë, të mësojnë punën në grup duke rritur kështu efektivitetin e tyre dhe duke kultivuar rritjen personale.

Parimet e Institucionit Tonë: Parimet mbi të cilat bazohet rruga e institucionit tonë drejt suksesit janë vendosmëria, planifikimi dhe përgjegjësia. Ne jemi të vendosur të arrijmë kulmet e cilësisë në mësimdhënie. Çdo hap i yni planifikohet në mënyrë të detajuar dhe ndiqet me rigorozitet nga personat përgjegjës. Zëri i nxënësve shprehet nga qeveria e nxënësve ndërsa hapat e nevojshëm për plotësimin e kërkesave të tyre kalojnë nëpër struktura specifike. Rëndësi të veçantë merr këshilla e mësuesve kujdestarë, mësuesve këshillues dhe psikologu. Nxënësit tanë kanë një pjesëmarrje të gjerë në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, duke qenë fitues të shumë çmimeve. Në shkollën tonë ofrohet punë individuale me nxënësit e olimpiadave dhe atyre që kanë prirje të veçanta, edhe pas orarit mësimor. Gjithashtu trajnimi dhe kualifikimi i stafit tonë, përbën një tjetër parim shumë të rëndësishëm për ne, duke mundësuar trajnime me mësuesit nga trajnerë vendas dhe të huaj për metodologjinë më bashkëkohore.

Teknologjia në Arsim: Zhvillimi i shpejtë dhe i pandalshëm i teknologjisë kërkon breza nxënësish të përgatitur për jetën dhe për profesionet e reja që po krijohen. Për këtë arsye, shkolla jonë që herazi ka përqafuar përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, duke ofruar ambiente dhe mjete të fjalës së fundit. Kjo teknologji, përveç sallave të kompjuterave dhe kinemasë 3D, përfshin televizorët interaktivë (që nga klasa e parë) dhe mësimdhënien me iPad (duke nisur nga klasa e katërt), mjete këto, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në transformimin e mënyrës se si nxënësit mësojnë dhe përvetësojnë konceptet e reja. Nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme, mësuesve u krijohen mundësi për të përmirësuar monitorimin dhe përfshirjen e nxënësve në një proces mësimor interaktiv. Njëkohësisht, këto mjete teknologjike ndikojnë te nxënësit për të mësuar në mënyrë të pavarur dhe për të zhvilluar aftësi teknologjike të rëndësishme për kohën e sotme. Përveç vlerave në arritjet akademike, formati i librave digjitalë të instaluar në iPadin e secilit nxënës, ndihmon në zhvillimin fizik të fëmijëve, pasi lehtëson peshën e çantës së tyre.

Vendndodhja
  • Kolegji Turgut Ozal, Rruga Ali Pashe Tepelena, Durrës, Albania

  • No comments yet.
  • Add a review