BERZH nis investimin 3.6 milionë euro për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia” në Durrës
Prej disa ditësh kanë nisur punimet për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia” në Durrës, konkretisht në pjesën pranë monumentit të Sfinksit. Ky investim strategjik vjen si rezultat i mbështetjes nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me një fond prej 3.6 milionë euro, duke shënuar një tjetër hap drejt zhvillimit urban të Durrësit.
Në terren janë të angazhuara mjetet e rënda dhe ekipet e firmës zbatuese, të cilat po kryejnë çmontimin e bankinës ekzistuese prej druri dhe ndërhyrje të tjera për të mundësuar zbatimin e projektit të studios së famshme spanjolle Ricardo Bofill. Ky projekt përfshin ndërtimin e një dallgëthyesi modern, si dhe zëvendësimin e elementëve të vjetër me pergola betoni me lartësi mbi 2 metra – të dizajnuara për të përmirësuar aspektin estetik dhe funksional të shëtitores bregdetare
Sipas Kryeministrit Edi Rama, i cili e ndau projektin në rrjete sociale, kjo ndërhyrje do ta kthejë shëtitoren në një hapësirë urbane moderne, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së ofertës turistike të qytetit të Durrësit, i njohur ndryshe si Porta e Adriatikut.
Kjo është ndërhyrja e tretë në shëtitoren “Taulantia” gjatë 5 viteve të fundit, duke dëshmuar përkushtimin e autoriteteve vendore për ta kthyer Durrësin në një destinacion turistik gjithëvjetor. Investime të tilla nga BERZH dhe institucione ndërkombëtare janë thelbësore për modernizimin e infrastrukturës publike dhe për të ofruar më shumë mundësi për qytetarët dhe vizitorët.