Hekurudha Tiranë-Durrës do të jepet me koncesion tek privati

Qeveria shqiptare hap rrugën për operimin privat të trenave

Qeveria shqiptare është drejt një hapi të rëndësishëm në fushën e transportit hekurudhor, duke planifikuar dhënien me koncesionshërbimit të operimit të trenave në rrjetin hekurudhor kombëtar. Ky projekt zhvillohet në bashkëpunim me programin Connecta 2, i financuar nga Bashkimi Europian, dhe parashikon përfshirjen e sektorit privat në ofrimin e shërbimit të trenave të pasagjerëve.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës: Projekti që pritet të transformojë transportin publik

Fokusi fillestar i këtij koncesioni është linja hekurudhore Durrës-Rinas-Tiranë, e cila është pjesë e një projekti më të gjerë të modernizimit të infrastrukturës hekurudhore në vend. Kjo linjë strategjike, aktualisht në ndërtim, pritet të hyjë në funksionim brenda pak vitesh.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, koha e udhëtimit për linjën Tiranë–Durrës do të reduktohet në vetëm 24 minuta, ndërsa udhëtimi Tiranë–Rinas do të zgjasë vetëm 12 minuta.

Detajet e rrjetit hekurudhor dhe teknologjia moderne

Linja Tiranë-Durrës, që do të përfshijë gjithsej 11 stacione, do të fillojë nga Durrësi dhe do të kalojë në Shkozet, Sukth, Vorë, Kashar, Laknas, Aeroportin e Tiranës, dhe do të përfundojë në Terminalin e Transportit Publik në Tiranë.

Ky aks do të operojë me tren elektrik me një shpejtësi maksimale deri në 120 km/orë, duke ofruar një alternativë moderne dhe të qëndrueshme për transportin publik ndërqytetas.

Operatori privat dhe përgjegjësitë e tij

Operatori që do të zgjidhet për këtë koncesion hekurudhor do të jetë përgjegjës për:

  • Furnizimin dhe mirëmbajtjen e trenave, të rinj apo me qira,
  • Mbledhjen e tarifave të udhëtarëve,
  • Garantimin e funksionimit të përditshëm të shërbimit të pasagjerëve.

Koncesioni do të mbulojë fillimisht korridorin hekurudhor Durrës – Rinas – Tiranë, me mundësi zgjerimi në të ardhmen drejt Hanit të Hotit në kufi me Malin e Zi dhe Pogradecit në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Afatet e projektit dhe konsultimi me tregun

Sipas burimeve zyrtare, tenderi për koncesionin e linjës hekurudhore pritet të zhvillohet në tremujorin e tretë të vitit 2025, ndërsa fillimi i operacioneve hekurudhore është planifikuar për tremujorin e tretë të vitit 2026.

Modeli i shpërblimit dhe kohëzgjatja e kontratës do të përcaktohen pas përfundimit të procesit të konsultimit me tregun, ku do të merren parasysh faktorë si cikli i jetës së trenave, kostot e mobilizimit dhe konkurrenca e tenderit./ekofin

Comments

  • No comments yet.
  • Add a comment