Turizmi dhe rritja e qiradhënies afatshkurtër
Tirana, si kryeqytet dhe qendër ekonomike, mbetet një pikë kyçe për turistët, ndërsa Durrësi, me afërsinë e tij me Tiranën, josh me bregdetin dhe kulinarinë. Nga ana tjetër, Vlora dhe sidomos Saranda me Ksamilin, të cilat shpesh krahasohen me Maldivet, janë shndërruar në destinacione shumë të njohura ndërkombëtarisht.
Qytetet historike si Gjirokastra dhe Berati tërheqin me arkitekturën unike, ndërsa Korça spikat për natyrën dhe stilin e veçantë të jetesës. Shkodra po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një trend i ri turistik.
Rritja e konkurrencës dhe mundësitë e fitimit
Me shtimin e turistëve, është rritur edhe konkurrenca mes qyteteve për të tërhequr sa më shumë vizitorë. Kjo ka krijuar një mundësi të madhe për biznes, ku shumë pronarë po japin apartamente dhe vila me qira ditore për turistët. Një pjesë tjetër po investon në struktura të reja akomoduese për të përfituar nga rritja e kërkesës.
Sipas të dhënave të AIRDNA, nga 21,300 njësi banuese të listuara për qira ditore, 22% (rreth 4,800) ndodhen në Tiranë. Segmenti Vlorë-Sarandë përfaqëson një pjesë të madhe të tregut, me përkatësisht 21% (4,500) dhe 15% (3,200) të listimeve. Në Durrës janë të listuara afro 3,000 apartamente për turistët.
Çmimet e qirave ditore sipas destinacioneve
Tirana ka një numër të madh vizitorësh, por nuk konkuron me destinacionet bregdetare për sa i përket çmimeve të qirave. Sipas AirDNA, të ardhurat ditore nga qiratë në kryeqytet janë më të ulëtat krahasuar me zonat e tjera turistike:
- Tiranë: 40-50 euro/natë (verë vs. periudha e zakonshme)
- Vlorë-Sarandë: deri në 96 euro/natë në gusht
- Durrës: deri në 85 euro/natë gjatë verës
Parashikimet për sezonin turistik
Ekspertët e industrisë presin një rritje të madhe të kërkesës për qiratë ditore edhe këtë vit. Bledi Hoti nga PikHost, një agjenci qiradhënieje, pohon se rreth një e treta e rezervimeve për verën tashmë janë kryer.
Tendencat kryesore në qiradhënie për 2025:
✔️ Rritje e interesit për vila luksoze dhe objekte me karakteristika unike
✔️ Investime më të mëdha në përmirësimin e cilësisë së akomodimit
✔️ Sezonaliteti mbetet një sfidë, me çmime shumë të ulëta jashtë sezonit